Skënder Hitaj ndryshon rregullat: Hiqen kontrollet rutinë nga policia rrugore, monitorimi kalon te radarët dhe teknologjia

Data

Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, ka firmosur një nga vendimet e para që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në qarkullimin rrugor në vend.

Përmes një urdhri të shpërndarë në të gjitha drejtoritë vendore, ai ka vendosur që të hiqen kontrollet rutinë të automjeteve nga policia rrugore, një praktikë që kishte sjellë shpesh ankesa nga drejtuesit e mjeteve.

Sipas udhëzimit, duke nisur nga data 10 prill, patrullat nuk do të ndalojnë më automjete pa një arsye konkrete ligjore. Vendimi synon të shmangë vonesat e panevojshme dhe të reduktojë kontaktin e drejtpërdrejtë mes policisë dhe qytetarëve në raste të paarsyeshme.

Në vend të kontrolleve fizike, evidentimi i shkeljeve do të realizohet përmes teknologjisë, duke përfshirë radarë për kontrollin e shpejtësisë dhe pajisje të tjera automatike monitorimi.

Autoritetet synojnë që ky ndryshim të rrisë efikasitetin në zbatimin e rregullave të qarkullimit dhe njëkohësisht të lehtësojë lëvizjen në akset rrugore, sidomos në periudha me fluks të lartë.

Megjithatë, në raste të veçanta kur kërkohet ndërhyrje në terren, policia do të vijojë të kryejë kontrolle, por mbi bazën e planeve të mirëpërcaktuara dhe me drejtim nga strukturat përgjegjëse.

Ky vendim shënon një qasje të re në menaxhimin e trafikut, duke kaluar nga kontrolli tradicional në një sistem më të automatizuar dhe të bazuar në teknologji.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related