Policia e Lezhës njoftoi sot se kishte arrestuar 33-vjeçaren Donika Curri me akuzën se kishte mashtruar një numër të madh grash të zonës duke u marrë atyre kartat e identitetit, nëpërmjet të cilave ka aplikuar për kredi në shuma nga 300 000 deri në 500 000 lekë.
Policia njoftoi se deri në mesditën e datës 26 qershor ishin identifikuar 16 gra, në emër të të cilave ishte marrë kredi, ndërkohë që janë të paktën 23 gra që janë mashtruar dhe është marrë kredi në emër të tyre pa qenë ato prezente.
Mësohet se institucioni financiar ku janë tërhequr kreditë është IUTE Credit, ndërkohë që përbën pikëpyetje të madhe procedura e ndjekur për aplikimin për kredi, gjë e cila risjell në vëmendje mungesën e kontrollit për kryerjen e procedurave të tilla delikate, aq më tepër në një kontekst të një skandali edhe më të madh, i cili nuk është mbyllur.
Policia është duke bërë verifikime të tjera për të parë nëse janë tërhequr kredi edhe nga institucione të tjera mikrokredie përveç IUTE Credit.
