Organizata ndërkombëtare dhe vendase të mbrojtjes së mjedisit kanë reaguar pas lëshimit të 33 urdhër-arresteve nga Prokuroria e Durrësit lidhur me eksportin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme nga Porti i Durrësit.
Në një deklaratë të përbashkët, Basel Action Network (BAN), EARTH Thailand dhe Milieukontakt Shqipëri e vlerësuan hetimin si një hap të rëndësishëm drejt llogaridhënies, por theksuan se nevojitet transparencë e plotë për të zbardhur përmasat reale të skandalit.
Sipas tyre, hetimet konfirmuan dyshimet se kontejnerët me mbetje nga industria e çelikut përmbanin materiale toksike. Megjithatë, organizatat kërkojnë publikimin e plotë të analizave kimike dhe testeve forenzike për të verifikuar nëse “gjurma” e mbetjeve përputhet me ato të gjeneruara nga impiantet e çelikut Kurum apo nëse janë përfshirë edhe burime të tjera.
Pyetje kyçe mbi eksportet
Partnerët ndërkombëtarë kërkojnë përgjigje për disa çështje thelbësore:
- Sa herë janë kryer eksporte të paligjshme të këtij lloji dhe në çfarë periudhe kohore?
- Cila është sasia totale e mbetjeve të eksportuara ilegalisht?
- Çfarë ka ndodhur me dërgesat që janë nisur drejt Kinës dhe a do të kërkohet kthimi i tyre?
- A janë përfshirë destinacione të tjera përveç Tajlandës dhe Kinës?
- A ka pasur impiante të tjera përveç Kurum që kanë furnizuar mbetje për eksport?
Po ashtu, organizatat pyesin nëse Porti i Durrësit është përdorur si pikë tranziti për mbetje me origjinë nga vende të tjera dhe kërkojnë zbardhjen e plotë të rolit të secilit prej 33 personave të përfshirë në çështjen penale.
Thirrje për reforma ligjore
OJQ-të kërkojnë reforma të thella ligjore në Shqipëri dhe Tajlandë, përfshirë:
- Ndalim të qartë të eksportit të mbetjeve të rrezikshme drejt vendeve në zhvillim;
- Forcim të kontrolleve portuale dhe mekanizmave të zbatimit;
- Ndalim të eksporteve të mbetjeve elektronike, plastike dhe të tjera të kontrolluara nga Konventa e Bazelit;
- Dënime të ashpra penale për personat përgjegjës.
Sipas tyre, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe reagimi i autoriteteve në Singapor dhe Tajlandë për ndalimin e kontejnerëve ishte vendimtar për të parandaluar depozitimin e mbetjeve toksike në vendet pritëse.
Ndërsa arrestimet shënojnë një zhvillim të rëndësishëm, organizatat theksojnë se vetëm transparenca e plotë dhe reforma sistemike mund të garantojnë që raste të tilla të mos përsëriten.
