Skandali i inceneratorit të Tiranës, miliona euro publike për një impiant që nuk u ndërtua kurrë

Data

Inceneratori i Tiranës, i cilësuar prej kohësh si një projekt fantazmë, ka vijuar të përthithë shuma të mëdha nga buxheti i shtetit edhe gjatë vitit 2025, pa ofruar shërbimin për të cilin është kontraktuar. Sipas të dhënave financiare, rreth 14 milionë euro nga taksat e qytetarëve janë paguar për një impiant djegieje që nuk ekziston.

Vetëm gjatë këtij viti, Bashkia e Tiranës ka transferuar rreth 9 milionë euro drejt koncesionarit të landfillit të Sharrës, pavarësisht faktit se procesi i incenerimit dhe prodhimit të energjisë nuk kryhet. Pagesat janë bërë për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve, ndërkohë që shërbimi kryesor, djegia e tyre, nuk është realizuar asnjëherë.

Në të njëjtën periudhë, Bashkia e Durrësit ka kryer pagesa në vlerën e rreth 3 milionë eurove, ndërsa bashki të tjera më të vogla përreth kryeqytetit kanë kontribuar me pjesën e mbetur të faturës totale. Pagesat e fundit janë regjistruar në dhjetor, duke konfirmuar se fondet publike vazhdojnë të derdhen drejt një projekti të papërfunduar.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës vijojnë prej kohësh, por deri më tani nuk kanë ndalur rrjedhjen e miliona eurove nga buxheti i shtetit. Ndërkohë, është pranuar se kompania koncesionare ofron vetëm shërbim të pjesshëm, pa realizuar komponentin kryesor të kontratës, atë të incenerimit dhe shndërrimit të mbetjeve në energji.

Kjo situatë ka ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën e menaxhimit të fondeve publike dhe përgjegjësinë institucionale, teksa një nga projektet më të kushtueshme të trajtimit të mbetjeve në vend vazhdon të funksionojë vetëm në letër, duke rënduar financat e pushtetit vendor dhe taksapaguesve shqiptarë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related