Skandali i heshtur në ASHK Rurale 2: Objektet pa leje legalizohen jashtë çdo afati

Data

Drejtoresha Eni Sejdinaj në qendër të akuzave për legalizime të paligjshme dhe favorizim klientelist në zonat rurale

Në një Shqipëri ku zbatimi i ligjit pretendohet si themel i shtetit modern, skandali që po shpërthen në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës – Rurale 2 përbën një alarm serioz për shkeljen e normave bazë dhe për përfshirjen e zyrtarëve të lartë në abuzime të hapura me pushtetin. Në qendër të kësaj situate ndodhet Eni Sejdinaj, drejtoreshë e këtij institucioni, e cila akuzohet për një seri legalizimesh të objekteve ndërtuar pa leje, në kundërshtim të hapur me afatet dhe kriteret ligjore.

Sipas burimeve të brendshme dhe raportimeve nga specialistë të fushës, në ASHK Rurale 2 po vijon procesi i legalizimit të ndërtimeve që janë ndërtuar pas afatit ligjor për përfitim nga ligji për legalizimet. Ky afat, i përcaktuar qartësisht në legjislacionin shqiptar, përjashton objektet e ngritura pas një date të caktuar, duke synuar të vendosë një vijë ndarëse mes tolerancës institucionale dhe shkeljeve të vazhdueshme urbanistike.

Megjithatë, në praktikë, ky afat duket se është kthyer në një formalitet të injoruar me vetëdije nga drejtuesja aktuale e ASHK Rurale 2. Dosje të mbyllura me përparësi, objekte të mëdha në periferi të qyteteve, biznese, madje edhe vila në zona të mbrojtura, po marrin statusin “të legalizuara”, në mungesë të dokumentacionit të plotë dhe në shkelje të afateve të përcaktuara me ligj.

Legalizimi i paligjshmërisë, përmes strukturave shtetërore

Një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë denoncuar se, ndërkohë që kërkesat e tyre për legalizim të pronave të ndërtuara dekada më parë vazhdojnë të zvarriten pa afat, ndërtime shumë më të vona, që nuk kanë të drejtë ligjore legalizimi, përfundojnë me certifikatë brenda pak javësh. Ato që i bashkon këto raste, janë lidhjet e ngushta të përfituesve me pushtetin vendor, njohjet personale me zyrtarë të ASHK-së, apo thjesht… aftësia për të paguar “nën dorë”.

Për më tepër, mungesa e transparencës është bërë normë në këtë proces. Shumë vendime legalizimi nuk publikohen fare në faqet zyrtare apo në Regjistrin Publik, duke lënë dyshime serioze mbi ekzistencën e një rrjeti të organizuar që operon në errësirë, larg çdo llogaridhënie publike.

A ka reagim institucional? Heshtje.

Deri tani, nuk ka pasur asnjë hetim të hapur, asnjë kontroll të brendshëm institucional dhe asnjë reagim nga ASHK Qendrore. Në vend që të sqarohen publikut kriteret ligjore dhe të zbatohen me përpikëri afatet e legalizimeve, duket se institucioni po përdoret si mjet për të shpërblyer klientët politikë, për të siguruar heshtje nga figura të rëndësishme lokale dhe për të “shitur” sigurinë juridike të pronës në këmbim të favoreve.

Kjo situatë jo vetëm që përbën një krim administrativ dhe penal, por minon besimin e qytetarëve tek shteti dhe krijon ndarje të thella sociale: një shtet për të fortët dhe një për qytetarët e zakonshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related