Shumë subjekte të kryeqytetit janë habitur ditët e fundit, kur u ka shkuar njoftimi nga banka se llogaritë e tyre ishin bllokuar nga Bashkia e Tiranës, pasi janë ngarkuar me gjobë dhe kamatëvonesa për mosshlyerjen e detyrimit shtesë të taksës së ndërtesës për vitin 2023
Bashkia e Tiranës me vendimin nr.35 të miratuar në Këshillin Bashkiak më 28 Mars 2024 ka përcaktuar se diferenca e detyrimit të lindur për taksën e ndërtesës për vitin 2023, që erdhi pas rritjes së çmimeve të referencës (që filloi të zbatohej nga gushti 2023), duhej të paguhej brenda muajit shtator 2024.
Diferenca e pjesës së mbetur që sipas vendimit të Këshillit Bashkiak duhej të paguhej brenda 2024-s, u krijua nga 1 Gushti 2023 me hyrjen në fuqi të çmimeve të reja të referencës së apartamenteve.
Por bizneset ngrenë shqetësimin se nuk kanë marrë njoftim nga drejtoria e tatim-taksave të Bashkisë së Tiranës për afatet e likuidimit të diferencës së detyrimit së taksës së ndërtesës për vitin 2023. Përfaqësuesit e subjekteve janë gjendur të befasuar nga masat, që me penalitete me gjobë, kamatëvonesa dhe deri te mbyllja e llogarive për mosshlyerje detyrimi.
Në zyrat e reja të Bashkisë te Ish parku të martën kishte radhë. Përfaqësuesit e subjekteve të acaruar nuk po arrinin të kuptonin se pse u kishin bllokuar llogaritë dhe pse duhet ta marrin njoftimin nga banka dhe jo nga Bashkia. Ata pohojnë se i kishin mbyllur detyrimet e bashkisë për vitin 2023 dhe nuk ishin informuar nga bashkia për detyrimin shtesë, as në prill dhe as në qershor 2024, kur kishin paguar detyrimet e këtij viti.
