Një zonjë me iniciale N.Q. ka bërë një denoncim të fortë publik ndaj ish-drejtorit të OSHEE Durrës, Plator Mehmeti, duke pretenduar se ai e ka përndjekur, kërcënuar dhe i ka bërë jetën e pamundur, madje duke e mbajtur peng bashkë me fëmijët e saj.
Ajo tregon për JOQ se ish-bashkëshorti, i cili sipas saj ka pushtet, para dhe mbështetje nga shteti, ka ndërhyrë në sistemet shtetërore, në pronën dhe jetën e saj private, pa asnjë pasojë ligjore.
Sipas denoncimit, N.Q. akuzon Mehmetin për korrupsion masiv dhe pastrim parash, përmes kompanive HTM shpk dhe Rear shpk, që sipas saj janë përdorur për të kanalizuar miliona euro nga tenderat e OSHEE-së drejt interesave të tij personale. Ajo shprehet se ka parë vetë shuma të mëdha parash cash në ambientet e kompanisë, ndërsa organet e drejtësisë nuk kanë reaguar, pavarësisht denoncimeve të përsëritura në Prokurori, SPAK dhe Komisariatin nr. 3 Tiranë.
Në dëshminë e saj, N.Q. tregon se Mehmeti ka ndikuar edhe në proceset gjyqësore dhe në kujdestarinë e fëmijëve, duke sabotuar avokatët dhe ushtruar presion ndaj institucioneve.
Ajo kërkon që SPAK dhe organet ligjzbatuese të hetojnë pasuritë, kompanitë dhe burimin e të ardhurave të Plator Mehmetit, si dhe të verifikojnë provat që, sipas saj, janë fshehur nga hetuesit.
“Ky njeri është i paprekshëm. Ka para, lidhje dhe pushtet. Dua vetëm drejtësi për mua dhe fëmijët e mi”, përfundon mesazhi i saj.
