Në vitin 1995 presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, autorizoi një fond prej 30 milionë dollarësh si grant për zhvillimin e ekonomisë së tregut në Shqipërinë e porsa dalë nga regjimi komunist. Paratë do të kanalizoheshin në ekonominë shqiptare përmes USAID dhe më tej Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve.
I themeluar si një organizatë jo fitimprurëse në kuadër të nismës së SHBA-ve për të promovuar zhvillimin e sektorit privat në vendet ish komuniste të Lindjes, Fondi Shqiptaro Amerikan i Ndërmarrjeve kishte objektiv të vetëm të ndihmonte transformimin e ekonomisë shqiptare në një ekonomi tregu. Për të përmbushur këtë qëllim, ai nisi investimet në një sërë ndërmarrjesh në Shqipëri. Dhe bingo. Paratë u shumëfishuan.
Nga blerja e aksioneve tek Aeroporti i Tiranës, deri tek themelimi i Bankës Amerikane të Shqipërisë, Fondi fitoi qindra milionë dollarë nga shitja e kuotave në këto kompani. Në vitin 2008, vlera e aseteve të tij arriti 180 milionë dollarë ose 6 herë më shumë se sa kapitali i fillestar i akorduar në formën e grantit nga Presidenti Clinton.
Por misioni i Fondi dhe statusi si organizatë jo fitimprurëse e përcaktonte me detyrim se ato para ishin të qytetarëve shqiptarë dhe duhet të investoheshin të gjitha në ekonominë shqiptare, duke financuar projekte në dobi të publikut.
