Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në një postim në rrjetin social Facebook, ku ka denoncuar ashpër procesin zgjedhor, duke e cilësuar si një masakër të organizuar nga ajo që ai e quan “Narkoregjimi”.
Meta akuzon pushtetin aktual për përdorimin sistematik të bandave kriminale, shit-blerjes së votës, presioneve mbi qytetarët, si dhe për keqpërdorimin e administratës dhe pasurive publike, me qëllim tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve. Sipas tij, kjo situatë përbën një deformim mafioz dhe të dhunshëm të demokracisë në vend.
Në deklaratën e tij, ai thekson se beteja për votën e lirë është tashmë një mision kombëtar dhe i pakthyeshëm, për të shpëtuar Shqipërinë nga një regjim i mbështetur te krimi, manipulimi dhe korrupsioni. Ai nënvizon se Partia e Lirisë nuk do të ndalet përballë asnjë shantazhi apo presioni, por do të evidentojë dhe denoncojë çdo shkelje të procesit zgjedhor, me qëllim rikthimin e demokracisë së vërtetë, barazisë para ligjit dhe shtetit të së drejtës.
“Banditizmi elektoral, “treni bullgar”, shit-blerja e votave, presionet për bukën e gojës, përdorimi i bandave dhe kriminelëve elektorale, parave të pista të trafiqeve dhe drogës, keqpërdorimi i administratës publike dhe aseteve shtetërore dhe të gjitha provat e masakrës elektorale, që po dalin në dritë të diellit, të organizuar nga Narkoregjimi tregojnë qartë një tjetërsim mafioz, total dhe të dhunshëm të vullnetit të lirë të qytetarëve.
Ky regjim i bazuar mbi krimin, që bazon çdo gjë në tjetërsimin, manipulimin dhe në inflitrimin e njerëzve të korruptuar brenda opozitës, përmes mekanizmave shtrëngues të “Drejtësisë së Re”, shkatërroi standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
