Pas çdo tenderi të majmë për mirëmbajtjen e rrugëve, fshihet një emër. Jo gjithmonë i kompanisë fituese, por shpesh i një zyrtari të lartë që e ka diktuar garën, ka shkelur rregullat dhe ka garantuar se miliona euro do të përfundojnë në duart e njerëzve të “besuar”. Në qendër të kësaj afere të zgjatur, me elementë të qartë korrupsioni dhe favorizimi, del emri i zv/kryeministres Belinda Balluku dhe një rreth i ngushtë bashkëpunëtorësh, që kanë ndihmuar në transferimin sistematik të parave publike drejt kompanive të lidhura me Arbër Abazin. Dokumentet, ankesat e refuzuara, vlerësimet e manipuluara, fitoret me oferta më të larta dhe rastet e falsifikimeve të dokumenteve krijojnë një mozaik të qartë abuzimi, që jo vetëm ka dëmtuar konkurrencën, por ka vënë në rrezik edhe sigurinë rrugore. Ndërsa një pjesë e bashkëpunëtorëve të Ballukut tashmë janë arrestuar apo nën hetim, vetë skemat e favorizimeve dhe shkeljet në tendera vijojnë të mos preken nga drejtësia. Ky është rrëfimi i një afere që ka nisur në kulmet e ARRSH-së, ka kaluar përmes heshtjes së institucioneve dhe ka përfunduar në xhepat e kompanive që e kanë ndërtuar fuqinë e tyre mbi fondet publike dhe mbrojtjen politike.
Ja investigimi
Në korrik 2020, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të shpallte thirrje për tenderat e mirëmbajtjes, ku një ndër përfituesit kryesorë do të ishin kompanitë e Arbër Abazit. “Vetting” ka zbuluar se për këta tendera, për të cilët ka patur ankesë edhe te Komisioni i Prokurimit Publik janë shpallur fituesit nga ish drejtori i ARRSH-së Ergys Verdho, njeri i afërt me Belinda Ballukun, i cili ka kaluar administrator te Hekurudha shqiptare. Nga këto kontrata, për lotin 4, 12 dhe 13 ka patur ankesa nga kompanitë konkurruese, duke pretenduar se në disa raste janë favorizuar nga Ergys Verdho. Sipas inxhinierit Romeo Nazarko, probleme me Autoritetin Rrugor Shqiptar lidhet me mënyrën se si funksionon Bordi i këtij institucioni. “Bordi ka autoritetin ta vendosi drejtorin e përgjithshëm të ARRSH-së me shpatulla pas muri, por nuk e bën. Kjo gjë sjell edhe mundësitë që drejtuesi i ARRSH-së ti realizojë tenderat sipas “porosive” nga lart”, u shpreh inxh. Nazarko.
