Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë një paralajmërim të fortë ndaj nismës së qeverisë për të ashtuquajturën “Paqe Fiskale”, duke theksuar se kjo marrëveshje rrezikon të dëmtojë seriozisht progresin e arritur në administrimin dhe përputhshmërinë tatimore.
Në vlerësimin e tij më të fundit, FMN nënvizon se falja e borxheve dhe rivlerësimi preferencial i pasqyrave financiare mund të minojnë disiplinën fiskale, duke krijuar precedent të rrezikshëm për sistemin tatimor, veçanërisht në një periudhë kur Shqipëria përballet me sfida demografike dhe presione të shtuara mbi shpenzimet publike.
“Marrëveshja ‘Paqja Fiskale’, e cila ofron falje borxhesh dhe rivlerësim preferencial të pasqyrave financiare, rrezikon të minojë progresin e mëparshëm në administrimin dhe përputhshmërinë tatimore”, thuhet në deklaratën e Bordit të FMN-së.
Paralajmërimi i FMN-së vjen pas kritikave të shumta të ngritura edhe nga organizatat e biznesit, të cilat kanë shprehur shqetësim se kjo nismë favorizon subjektet që kanë shmangur detyrimet fiskale, në kurriz të atyre që kanë respektuar ligjin.
Sa i përket sektorit financiar, FMN thekson nevojën për një monitorim shumë më të kujdesshëm të rreziqeve që lidhen me kreditimin në pasuri të paluajtshme, ekspozimet ndaj valutës së huaj dhe rritjen e borxhit sovran. Po ashtu, kërkohet forcim i kuadrit prudencial dhe i mbikëqyrjes bankare për të shmangur rreziqe sistemike.
Në planin afatmesëm, FMN nënvizon se konvergjenca e të ardhurave me Bashkimin Evropian nuk mund të arrihet pa reforma të thella strukturore. Institucioni ndërkombëtar thekson domosdoshmërinë e rritjes së produktivitetit, zhvillimit të kapitalit njerëzor, përmirësimit të tregut të punës, forcimit të qeverisjes dhe luftës reale kundër korrupsionit.
Në fushën e politikës monetare, FMN vlerëson se qëndrimi aktual i Bankës së Shqipërisë është i përshtatshëm, por paralajmëron se banka qendrore duhet të jetë e gatshme të reagojë shpejt ndaj zhvillimeve të tregut, sidomos nëse presionet inflacioniste nga rritja e pagave rezultojnë më të forta se parashikimet. Po ashtu, rekomandohet fleksibilitet më i madh i kursit të këmbimit dhe përdorim më aktiv i normave të interesit për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
