Shtohen telashet për të ngelurit në veting. Kështu Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi 1 vit burg për ish-gjyqtarin e Kushtetuese, Fatos Lulo që akuzohet për refuzim për deklarim, mosdeklarim ose fshehje pasurie. Dënimi thotë SPAK të pezullohet duke u konvertuar në 2 vjet shërbim prove. Sipas SPAK, Lulo ka bilanc negativ të të ardhurave në dy pasuri, një apartament në Tiranë dhe në një zyre 172 m2 e deklaruar si e dhuruar në Rrugën e Durrësit. Lidhur me këtë dosje, Lulo pritet që në seancën e radhës të paraqes argumentet e tij për të kundërshtuar akuzën.
Gjyqtari Kushtetues u shkarkua kënga shkalla e parë e vetingut më 23 mars 2018, vendim i lënë në fuqi edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Atij i është sekuestruar një dyqan me sipërfaqe 172 m2 në Tiranë. Ish-gjyqtari ka deklaruar se dyqanin në Rrugën e Durrësit në Tiranë, me vlerë 120 mijë euro, ia ka bërë dhuratë motra. Kjo e fundit, sipas tij, i ka dhuruar edhe 100 mijë euro, ndërsa ka marrë hua edhe 480 mijë euro. Por, komisionet e Vetingut kanë konstatuar se motra e Fatos Lulos nuk ka pasur të ardhura të ligjshme financiare për të blerë dhe më pas dhuruar dyqanin me vlerë 120 mijë euro. Kujtojmë se në 3 gusht 2021, SPAK dërgoi për gjykim në GJKKO dosjen ndaj gjyqtarit Fatos Lulo.
SPAK zgjeron hetimet
Ndërkohë ish-gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Besnik Hoxha, është thirrur në SPAK. Siç dallohet në pamje, ish-gjyqtari paraqitet në ambientet e brendshme të Prokurorisë së Posaçme. Emri i tij përmendet në dosjen “Zarka” për çështjen e “Toyota Yaris”. Ish-gjyqtarit iu lakua emri në bisedat e “SKY ECC”, se mund t’i jepte zgjidhje çështjes. Njëri nga të dyshuarit e quan ‘Beso grupi’ dhe kur bashkëbiseduesi e pyet se kush është, ai merr përgjigjen ‘Besnik Hoxha shkodrani’. Sipas gazetares Anila Hoxha, në SPAK do të thirren edhe katër gjyqtarë të Tiranes të përmendur për “Toyota Yaris”, ish prokurorë dhe ish-gjyqtarë, një anëtare e KLP që ka qenë mes prokurorëve të “Toyota Yaris” dhe prokurorë apeli. Kujtojmë se 25 korrik Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi largimin nga detyra të Besnik Hoxhës dhe e largoi këtë të fundit nga sistemi i drejtësisë. Ai u largua nga sistemi i drejtësisë, pasi “dështoi” në kriterin e justifikimit të pasurisë.
Mesazhi
Pra referuar këtyre zhvillimeve, skena politike dhe juridike në Shqipëri po përballet me sfida të reja, ndërsa vetingu vazhdon të zbulojë raste të reja korruptive. Kërkesa e SPAK-ut për një vit burg për ish-anëtarin e Kushtetueses, i akuzuar për fshehje pasurie, tregon se procesi i pastrimit të sistemit të drejtësisë është më i nevojshëm se kurrë. Në të njëjtën kohë, hetimet për ish-gjyqtarin e Tiranës, i cili është përmendur në skandalin “SKY ECC”, përforcojnë shqetësimet për ndikimin e krimit të organizuar në strukturat e drejtësisë. Këto zhvillime hapin një diskutim të rëndësishëm mbi integritetin e institucioneve dhe përpjekjet për të rivendosur besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
