Një automjet i parkuar është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen nr. 2 të qytetit të Pogradecit. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, ndërsa mjeti i përkiste shtetasit A. M.
Sipas burimeve nga policia, ekzistojnë dyshime të forta se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Gjatë verifikimeve paraprake, është konstatuar prania e një personi në afërsi të rrugës ku ndodhej automjeti në momentin e rënies së zjarrit, dhe po punohet për identifikimin e tij.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, por automjeti ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale. Shërbimet zjarrfikëse kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve, ndërsa zona është vënë nën kontroll.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin përfundimtar të shkakut të zjarrit.
