Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka dhënë një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, duke theksuar se presidenti Donald Trump është i gatshëm të ndërmarrë veprime të ashpra nëse Teherani nuk pranon kushtet për përfundimin e konfliktit.
“Donald Trump nuk po bën bllof dhe është gati të lëshojë ferrin nëse Irani nuk e pranon humbjen”, u shpreh Leavitt, duke shtuar se Irani nuk duhet të bëjë gabime në llogaritje.
Sipas autoriteteve amerikane, negociatat për armëpushim vijojnë dhe janë në një fazë konstruktive, pavarësisht refuzimit të Iranit ndaj planit amerikan të paqes.
Nga ana tjetër, Teherani e ka cilësuar propozimin e SHBA-së si të papranueshëm dhe ka rikthyer kushtet e veta për ndalimin e luftimeve, duke theksuar se nuk do të ketë negociata pa plotësimin e tyre.
Ndërkohë, zhvillimet ndërkombëtare tregojnë për një përfshirje më të gjerë të aleatëve perëndimorë. Sipas raportimeve, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca pritet të organizojnë një takim teknik me rreth 30 vende për të diskutuar një mision të mundshëm detar që synon sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.
Burime nga rajoni kanë bërë të ditur gjithashtu se Irani nuk është i gatshëm të rikthehet në tryezën e bisedimeve me disa nga përfaqësuesit amerikanë, duke i akuzuar ata për mungesë besimi pas zhvillimeve të fundit ushtarake.
Në këtë klimë tensioni të lartë, përpjekjet për negociata vazhdojnë, por pa shenja të qarta për një ulje të menjëhershme të konfliktit.
