Në Shqipëri, shumë gra shtatzëna përballen me sfida të shumta në tregun e punës, edhe pse ligji i garanton të drejta mbrojtëse. Raporti i fundit i Institutit për Zhvillim dhe Iniciativa Qytetare (IZHIQ) zbulon se qindra gra që janë në periudhën e shtatzënisë ose lehonisë përballen me diskriminim, pushim të paarsyeshëm, detyrime për dorëheqje dhe presion për të lënë punën.
Sipas drejtoreshës së Institutit për Zhvillim dhe Iniciativa Qytetare (IZHIQ), Daniela Burnazi, problemi i diskriminimit të grave shtatzëna në tregun e punës është shumë i shpeshtë, veçanërisht për ato që janë në moshën riprodhuese. Ajo shpjegon se në studim janë shqyrtuar përvojat e 207 grave, ku 71% janë në moshën 31-40 vjeç, 24% në grupmoshën 21-30 vjeç dhe 5% në moshën 41-50 vjeç. Nga të dhënat rezulton se 48% e punojnë në sektorin privat, ndërsa 51% në sektorin publik. Megjithatë, rastet më të shumta të shkeljeve ndodhin në sektorin privat, ku kontrollet janë të rralla dhe kontratat shpesh të përkohshme.
Raporti gjithashtu tregon se në fasoneri, shumë punëdhënës shmangin detyrimet ligjore për lejen e lindjes për shkak të kostove financiare, duke krijuar një ambient pune jo të favorshëm për nënat. Burnazi thekson se studimi nxori të dhëna tronditëse: 23% e grave janë nën presion për të dhënë dorëheqjen, 17% janë pushuar nga puna, 14% kanë pësuar ulje page ose reduktim orari, ndërsa 29% përballen me forma të tjera të trajtimit të padrejtë.
