Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me përfaqësuesit e sistemit bankar dhe të industrisë së re mbi nevojën për shtrirjen e modernizimit të shtetit në digjitalizimin e shërbimeve financiare.

Rama theksoi se Shqiperia nuk mund të jetë një vend që vazhdon me një volum cashi të papranueshëm në qarkullim te parave.
Sipas kryeministrit Edi Rama ofrimi i më shumë zgjidhjeve alternative në fushën e pagesave mundëson uljen e kostove të transaksioneve, të informalitetit dhe të qarkullimit të parasë dorë më dore
“Besoj se është koha për t’u kuptuar mirë së bashku që ne nuk mund të jemi një vend që mbetet shumë i mbyllur karshi inovacionit në sistemin bankar, nuk mund të jemi një vend që mbetet ende shumë i kapur në një boshllëk midis mënyrës sesi është i ndërtuar dhe funksionon sistemi ynë financiar dhe mënyrës si është ndërtuar dhe funksionon sistemi financiar i ekonomisë familjare dhe nuk mund të jemi një vend që vazhdon me një volum “cash-i” të papranueshëm në qarkullim, duke pasur në ndërkohë një shpenzim shumë të lartë të vetë prodhimit të letrës së parasë, nuk mund të jemi natyrisht një vend që vazhdon e kërkon formalizimin e ekonomisë në rrugët tradicionale të inspektimeve fizike dhe të gjobave që kanë rezultuar në të shumtën e herës metodë e pasuksesshme dhe nuk mund të jemi një vend ku bankat mbeten ende shumë larg nevojës së ekonomisë kur vjen puna tek shpejtësia dhe tek eficenca e transaksioneve, që për ta thënë me një fjalë të vetme, edhe pagesat direkte janë në të shumtën e herës, me metoda tradicionale.
Shqipëria duhet të fokusohet – dhe qeveria është shumë e fokusuar për hir të vërtetës, por kjo nuk është vetëm një sfidë dhe një çështje e qeverisë – tek inovacioni dhe faktikisht ne jemi në situatën kur ligji, jo unë, ligji e ka të shkruar e zeza mbi të bardhë që në janar të këtij viti duhet të ishte zbatuar nga të gjitha bankat e nivelit të dytë aplikimi i protokolleve të “open-banking” dhe janari ishte një afat i përsëritur, nuk ishte afati i vënë për herë të parë, ishte një afat i përsëritur.
Më kujtohet kur kemi bërë së bashku me Delinën bisedën me bankat e nivelit të dytë për sigurinë kibernetike, kur kemi folur për domosdoshmërinë e marrjes seriozisht të kërcënimit kibernetik dhe u desh të ndodhte që pastaj bankat të viheshin në lëvizje.
Kemi një sistem bankar që i ka të gjitha virtytet pozitive të një sistemi tradicional, i ka padiskutim, dhe jemi të gjithë të kënaqur me këtë fakt. Tani ne nuk jemi më në listën gri dhe i kemi të gjitha arsyet të kërkojmë me zë të lartë nga bankat që të jenë në lartësinë e kësaj sfide që është sfida e Shqipërisë”, tha Rama.
