Viktor Orban ka rënë dakord për një marrëveshje me liderët e tjerë të BE-së për një paketë mbështetjeje prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën.

Kryeministri hungarez, i cili ishte zotuar se do të bllokonte fondet që nga dhjetori, më në fund iu nënshtrua presionit pas një serie takimesh 11-orëshe me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, si dhe presidentët e Komisionit Evropian dhe Këshillit, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel.
“Mendoj se ai nuk po shihte më opsione”, tha një burim i lartë, raporton The Guardian.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se vendimi “dëshmon edhe një herë unitet të fortë të BE-së”.
Paketa katërvjeçare është krijuar për të mbajtur në këmbë ekonominë e Ukrainës, me para për spitalet, shkollat dhe pagat dhe pensionet e nëpunësve civilë.
“Mbështetja e vazhdueshme financiare e BE-së për Ukrainën do të forcojë stabilitetin afatgjatë ekonomik dhe financiar, i cili nuk është më pak i rëndësishëm sesa ndihma ushtarake dhe presioni i sanksioneve ndaj Rusisë”, tha ai.
Marrëveshja i befasoi të gjithë të mbledhur në Bruksel për samitin e urgjencës, i cili u thirr pasi Orban bllokoi fondin prej 50 miliardë eurosh në dhjetor.
“Gjendja sot në mëngjes nuk ishte e mirë. Askush nuk e priste këtë”, tha një diplomat.
Dy paragrafë të tjerë u shtuan në projekt-konkluzionet e rënë dakord nga udhëheqësit, por burimet thonë se asnjëri nuk ishte një fitore për Orban. “Ai nuk mori asgjë,” tha një burim i afërt me ata në dhomë.
