Shqipëria “porosit” ambasadë të re në Britaninë e Madhe, fond prej 5.4 milionë euro

Data

Shqipëria do të ketë një ambasadë të re në Mbretërinë e Bashkuar. Për këtë qëllim, është vënë në dispozicion një fond prej mbi 5.4 milionë euro, ose rreth 520 milionë lekë, për blerjen e një prone në Londër që do të shërbejë si seli e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Ambasadën shqiptare në Londër, do të ndjekë procedurat përzgjedhëse për identifikimin e ndërtesës dhe truallit më të përshtatshëm për aktivitetin diplomatik dhe konsullor. Pronat e propozuara duhet të jenë të sigurta, të lira nga çdo barrë ligjore dhe të ofrojnë hapësira të mjaftueshme për funksionimin normal të ambasadës.

Vlerësimi i ofertave do të kryhet nga një Komision i Posaçëm, i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar dhe Avokaturës së Shtetit. Ky komision do të shqyrtojë ofertat, do të mbikëqyrë procesin e negociimit dhe do të propozojë ofertën fituese.

Pas nënshkrimit të kontratës së shitblerjes, Ambasada do të kryejë pagesat dhe do të regjistrojë pronën sipas legjislacionit britanik. Shpenzimet për blerjen e pronës do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related