Shqipëria ka parashikuar ngritjen e 20 qendrave të reja pritëse për emigrantët që vijnë kryesisht nga Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, të cilët përdorin territorin shqiptar dhe atë serb si tranzit drejt Greqisë. Ky plan mbulon periudhën 2026–2028 dhe përfshihet në projektvendimin “Për miratimin e Planit Kombëtar të Kontigjencës për flukset e përziera migratore”, tashmë i miratuar nga Këshilli Konsultativ i AMVV-së.
Qendrat do të shtrihen në Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë, me kapacitete akomodimi që variojnë nga 100 deri në 410 shtretër për secilën pikë.
Ku do të ngrihen qendrat e reja?
Qarku Korçë – deri në 10 pika pritëse
Korça do të ketë numrin më të madh të strukturave të reja, duke shfrytëzuar si hapësira publike, objekte të braktisura dhe ish-depo shtetërore:
- Bashkia Korçë: fshati Floq, ambientet e ish-TAP.
- Bashkia Pogradec: hapësira të mëdha me potencial akomodimi.
- Bashkia Devoll: qyteti Bilisht dhe fshati Bitinckë (11.500 m² kapacitet total).
- Bashkia Kolonjë: hapësira të përshtatshme për vendosje strukturash emergjente.
- Bashkia Maliq: ish-depot e Rezervave Shtetërore në Lozhan.
- Bashkia Pustec: tre lokacione – Zaroshkë, fusha sportive e Pustecit dhe fusha sportive e Goricës së Vogël.
Qarku Gjirokastër – tre pika kryesore pritjeje
Fokusi është te rikonfigurimi i godinave ekzistuese, sidomos ish-Rezervave Shtetërore:
- Memaliaj: pranë stadiumit “Karafil Çaushi” për strukturat e përkohshme.
- Përmet: spitali dhe konviktet, me kapacitet deri në 102 shtretër.
- Pika shtesë pritjeje mund të shtohen pas vlerësimit të infrastrukturës.
Qarku Vlorë – kapacitete më të mëdha akomodimi
Vlora parashikohet të kthehet në një nyje të rëndësishme pritjeje:
- Konviktet e “Qytezës së Studentit”, konviktet e Shkollës Industriale, Pallati i Sportit “Flamurtari”, Shkolla e Marinës, dhe zyrat e Njësisë Administrative Novoselë – secila me kapacitet deri në 300 persona.
- Selenicë: fshati Peshkopi (kapacitet 250 persona).
- Delvinë: stadiumi i qytetit.
- Himarë: stadiumi dhe shkollat publike.
- Konispol: 3 shkolla dhe Qendra Komunitare në Mursi, me kapacitet total rreth 410 shtretër, më i madhi i planifikuar.
Sa do të kushtojë?
Plani Kombëtar i Kontigjencës parashikon shpenzime për:
- paga,
- operim dhe mirëmbajtje,
- investime infrastrukturore.
Kostoja varion sipas skenarëve të flukseve migratore:
- Skenari normal: 195.6 milionë lekë
- Skenari i krizës: deri në 708.7 milionë lekë
Skenari i krizës parashikon rastet kur flukset rriten në mënyrë të menjëhershme dhe kërkojnë aktivizim të plotë të të gjitha qendrave.
