Skandalet në Akademinë e Sigurisë që gazeta ka evidentuar kohët e fundit duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi legjitimitetin e këtij institucioni të arsimit të lartë dhe mbi veprimet e rektorit të saj, Ilirjan Mandro janë konfirmuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. KLSH ka realizuar një auditim të thelluar për periudhën e veprimtarisë nga data 01.01.2022 deri me datën 31.12.2023 dhe ka zbuluar shkelje të rënda financiare dhe administrative të cilat do t’i publikojmë më në detaje në vijim. Në raportin që disponon gazeta, KLSH kërkon urgjentisht nga Ministri i Brendshëm shkarkimin e menjëhershëm të rektorit të Akademisë, z. Mandro.
“Ministri i Brendshëm të marrë masa të menjëhershme, që në referencë të Statutit të Akademisë miratuar me Urdhër të përbashkët nr. 130, datë 10.03.2023 të Ministrit të Arsimit dhe Sportit si dhe Ministrit të Brendshëm, nenit 11 pika 6, të propozojë shkarkimin nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë të Rektorit të Akademisë së Sigurisë z.Ilirjan Mandro, si rezultat i parregullsive të konstatuara, mbi përdorimin e fondeve publike, pa ekonomicitet, efektivitet dhe efiçencë, si dhe mospërmbushjen e qëllimeve dhe të objektivave të Akademisë së Sigurisë, bazuar në nenin 8 pika 1 të ligjit nr. 10 296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, evidenton KLSH.
Skandali
Akademia e Sigurisë është një institucion kyç për Shqipërinë, pasi ajo ka përgjegjësinë për trajnimin dhe edukimin e profesionistëve të sigurisë dhe të forcave të rendit. Shkeljet dhe parregullsitë që janë evidentuar në këtë raport janë të dëmshme për këtë institucion, i cili duhet të përmbushë një rol shumë të rëndësishëm në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Në një kohë kur Shqipëria është duke kaluar një periudhë të rëndësishme transformimesh dhe reformash, është thelbësore që institucionet si Akademia e Sigurisë të veprojnë me integritet dhe transparencë të plotë. Ky raport konfirmon denoncimin e gazetës “SOT” se Mandro e ka kthyer në këtë institucion në një ndërmarrje të vogël private ku përkundrejt favoreve të vogla nepotike, aplikon ligjet e këtij shteti sipas mënyrës dhe interesit të tij pa ju dridhur qerpiku.
Transparenca
Një nga aspektet më të rëndësishme që del në pah nga raporti i KLSH është domosdoshmëria e transparencës në menaxhimin e fondeve publike. Në një periudhë ku Shqipëria po përballet me sfida të mëdha në nivelin e menaxhimit të burimeve financiare, çdo shkelje mund të ketë pasoja të mëdha për besimin e publikut. Kjo është një mundësi për të rritur standardet e menaxhimit dhe për të siguruar që çdo institucioni të ketë një përgjegjësi të qartë për mënyrën se si shpenzon paratë publike.
Kërkesa e KLSH për shkarkimin e Rektorit të Akademisë së Sigurisë është një hap që synon forcimin e reformave dhe rritjen e standardeve në administratën shtetërore dhe nëse nuk merren masat e nevojshme, institucioni do të futet në një gjendje të rrezikshme dhe të pasigurt për studentët dhe stafin akademik. Gazeta paralajmëroi pak ditë më parë se më shqetësues është fakti se ky kaos mund të çojë në humbjen e akreditimit të Akademisë së Sigurisë, një skenar që do të vinte në pikëpyetje vlefshmërinë e diplomave të studentëve dhe të ardhmen e tyre akademike.
