Dy muaj pasi PD depozitoi padi në SPAK, Prokuroria e Posaçme thotë se është duke hetuar mbi dyshimin se me urdhër të zv/kryeministres, njëherësh ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, KESH ka kryer shitblerje të paligjshme të energjisë elektrike. Hetimet nisën nga një kallëzim të bërë nga kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, i cili u shpall i pafajshëm pasi ishte kallëzuar nga OSHEE për shpifje. Por në një intervistë televizive në “Top Story”, Balluku ka deklaruar se Bardhi është shpallur i pafajshëm me argumentin se është politikan dhe nuk ka ekspertizë në çështjet e energjisë.
“Akuzat nuk shkojnë tek unë dhe si u tha edhe dje në Gjykatë, Bardhi nuk ka ekspertizë energjetike kështu që për këtë arsye deklaratat i bën padashje. Mund t’ua lexoj se si është vendimi i gjykatës. I është bërë kallëzim bardhit nga OSHEE, dhe dje është marrë një vendim gjykata dhe kam parë një entuziazëm të jashtëzakonshëm nga Bardhi e Berisha, që thonin jemi të pafajshëm. Kam lexuar vendimin e gjykatës, që thotë se duke qenë se Bardhi është thjesht politikan dhe s’ka ekspertizë mbi energjinë, ajo çka ka deklaruar është padashje dhe për këtë arsye ata vlerësojnë që nuk ka një dëm të qenësishëm ndaj OSHEE”, deklaroi Balluku.
Për këtë zonja Balluku mund të pyesë edhe avokatin e OSHEE që ishte i pranishëm në sallë. As gjykata dhe as SPAK nuk kanë thënë këtë gjë. Përkundrazi kanë thënë që sjellja dhe denoncimet e z. Bardhi duhet të shërbejnë si nxitje për çdo deputet, sepse janë përmbushje serioze e funksionit të deputetit që denoncon çdo abuzim me detyrën. Edhe një herë znj. Balluku, apeli i zotit Bardhi për ty është mos keqpërdor vartësit, por bëhu gati që në SPAK t’u shpjegosh qytetarëve ku kanë shkuar 180 mln euro të shqiptarëve. Ky është KORRUPSION MADHOR”, shkroi dje Logu në rrjetet sociale.
