Shifrat e Edi Ramës mbi turizmin meritojnë një qartësim

Data

Fillimisht një saktësim për Kryeministrin që sheh komplote kudo dhe kujton se kritikët ndaj tij urojnë ta shohin turizmin të shndërrohet në një histori dështimi dhe jo suksesi. Të jetë i sigurt, nuk mund të ekzistojë një shqiptar brenda apo jashtë vendit që mos të kënaqet me sukseset ekonomike të vendit. Kur ekonomia ecën, gjithçka ecën. Ndërsa sa për sukseset “politike” apo “gjeopolitike” të Shqipërisë ato janë nocione subjektive ku është normale që debati të ekzistojë.

Por ekonomia në vetvete nuk gënjen. Nëse turizmi i sjell prosperitet ekonomik vendit askush nuk do te hidhte balte mbi pushtetin. Edhe vete sistemi i kaluar komunist, që nga Brezhnjevi tek Enver Hoxha duke kaluar nga Cauçesku nuk do të kishte rënë nëse do të kishte treguar epërsi ekonomike. Pra, Edi Rama të rrijë i qetë. E ka dhe do ta ketë opinionin publik mbështetësin më të madh për turizmin por me kushtin që përtej fjalëve të ketë vepra, që turizmi nga shifra personash me shumë zero mbrapa, të shndërrohet në shifra në euro edhe me shumë zero mbrapa.

A po ndodh kjo me politikat e turizmit të kësaj qeverie në Shqipëri?

Për ta kuptuar, nuk duhet që në emër të euforisë së turizmit të bëjmë kompromis me statistikat që po servir apo nuk po servir kjo qeveri.

Kryeministri në vend të tallet me ata që guxojnë dhe “ia diskutojnë” statistikat duhet të tregohet mirënjohës për çdo vërejtje apo sugjerim që merr meqenëse qëllimi i të gjithëve bashkërisht është që të funksionojë ekonomia e turizmit dhe jo dogma e turizmit.

Rritja e numrit të turistëve nuk është një veçanti shqiptare
Po e nisim analizën me statistikat e fundit të publikuara nga Edi Rama. Kryeministri shkruan me krenari dhe plot qesëndi për “qaramanët” te cilët i përqesh me një “smile” se Shqipëria është në krye te statistikave te aviacionit europian me një rritje marramendëse të numrit të pasagjerëve të huaj që vijnë shumë herë më i lartë se në vendet e tjera:

“JA TABELA E KËSHILLIT TË Aeroporteve NDËRKOMBËTARE PËR KORRIKUN, ku kryeson sërish SHQIPËRIA me rritjen e jashtëzakonshme mbi 200% të numrit të pasagjerëve, që është një pasqyrim shumë i qartë i “zbrazjes” së Shqipërisë nga turistët këtë vit.😅

Por siç thonë anglezët, djalli fshihet në detaje. Kjo rritje mbi 200% nuk është “këtë vit”, këtë muaj vere krahasuar me një vit më parë. Tabela e Ramës marre nga Organizmi europian i Aviacionit (ACI Europe) bën pjesë në kapitullin e analizave të rimëkëmbjes së trafikut ajror europian që prej vitit “Zero trafik” që ishte momenti i kovidit më 2020.

Të gjitha këto statistika që publikohen rregullisht nga europianët kane vetëm një synim: a po e rigjen sot trafiku ajror në Europë atë numër pasagjerësh që kishte fill para kovidit në vitin 2019? Titulli i tabelës së ripostuar nga Rama është i qartë: Performanca e trafikut ajror në krahasim me vitin 2019”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related