Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Vlorë, ku një konflikt fizik mes tre personave ka përfunduar me humbjen e jetës së një 63-vjeçari dhe plagosjen e djalit të tij.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia”, pranë rrugës “Çipaj”. Viktima, i identifikuar me inicialet B.A., është goditur me grushte nga dy persona të tjerë gjatë një konflikti të çastit, që dyshohet të ketë nisur për motive të dobëta.
Si pasojë e dhunës, 63-vjeçari ka pësuar dëmtime të rënda në pjesën e fytyrës dhe të grykës. Ai ka humbur ndjenjat dhe është transportuar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Në konflikt është përfshirë edhe djali i viktimës, i cili ka mbetur i lënduar lehtë.
Policia ka identifikuar autorët e dyshuar dhe po vijon punën për kapjen e tyre. Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Nga të dhënat paraprake mësohet se personat e përfshirë në konflikt njiheshin me njëri-tjetrin.
