Një konflikt i dhunshëm ka përfunduar me plagosje të rëndë dhe tre persona të arrestuar në Gramsh. Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si “Departamenti i Bujqësisë”, ku ndërhyrja e shpejtë e Policisë ka shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Si rezultat i veprimeve policore, janë arrestuar në flagrancë babë e bir, përkatësisht një 51-vjeçar dhe djali i tij 27-vjeçar, të dy banues në Gramsh. Ata akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim, ndërsa 51-vjeçari akuzohet edhe për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Në pranga ka rënë edhe vetë i dëmtuari, një 34-vjeçar, i cili akuzohet për kanosje dhe për mbajtje pa leje të një mjeti prerës. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka përdorur një thikë për të kanosur njërin prej të arrestuarve gjatë konfliktit.
Nga veprimet hetimore rezulton se për motive të dobëta, babë e bir kanë goditur me grushte dhe sende të forta 34-vjeçarin, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje është sekuestruar një thikë, ndërsa gjatë kontrollit fizik policia ka gjetur edhe një mjet multifunksional në posedim të 51-vjeçarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.
