Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar ashpër sulmin terrorist të ndodhur në plazhin Bondi Beach në Sidney, ku të paktën 12 persona humbën jetën dhe rreth 30 të tjerë mbetën të plagosur gjatë një feste të komunitetit hebraik.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, reagoi përmes një deklarate publike, duke e cilësuar sulmin si një akt të rëndë dhune dhe urrejtjeje.
“Antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë. Mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat e këtij sulmi të tmerrshëm, me komunitetin hebraik dhe me popullin e Australisë”, u shpreh Rubio.
Bilanci tragjik dhe hetimet në vijim
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë kremtimit të festës hebraike Hanuka, kur persona të armatosur hapën zjarr ndaj pjesëmarrësve. Sipas autoriteteve australiane, një nga autorët mbeti i vrarë, ndërsa një tjetër ndodhet në paraburgim.
Mes të plagosurve raportohet se ndodhet edhe një fëmijë, ndërsa dy efektivë policie janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia ka konfirmuar gjithashtu se në një automjet të lidhur me autorët janë gjetur pajisje shpërthyese të improvizuara, të cilat janë neutralizuar nga ekspertët.
Autoritetet australiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në sulmin terrorist.
