Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një sulm ndaj Iranit, të cilin e kanë cilësuar si “sulm parandalues”. Lajmi u bë publik nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, për shkak të frikës së një kundërpërgjigjeje me dronë dhe raketa balistike nga ana e Iranit.
Raportohet për sirena alarmi dhe shpërthime të forta në Teheran, ndërsa tensionet në vend mbeten të larta, edhe për shkak të protestave të brendshme kundër regjimit.
Sipas mediave amerikane, përfshirë The New York Times, operacioni pritet të jetë më i gjerë se sulmet ajrore të mëparshme ndaj impianteve bërthamore iraniane.
Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi nisjen e fushatës ushtarake përmes një videoje në rrjetet sociale, duke deklaruar se Irani “nuk do të mund ta ketë kurrë armën bërthamore” dhe se përpjekjet për marrëveshje kishin dështuar.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane paralajmëruan se reagimi do të jetë “shkatërrues”, duke rritur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.
