Ndërhyrja restauruese e ikonës “Shën Maria me Krishtin”, shekulli XVIII, vepër e ateliesë së Tërpo Zografit ka përfunduar. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar shprehet se sot ikona paraqitet në shkëlqimin e saj të dikurshëm dhe së shpejti do të ekspozohet për publikun e gjerë. Sipas Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë restaurimi përfundoi pas një pune disa mujore, kryer në laboratorin e Restaurimit pranë këtij institucioni. “Kjo ikonë është me origjinë nga fshati Pojan, Korçë. Ndërhyrjet konservuese që u kryen në shtresën e gruntit dhe atë të pikturës: Largimi i depozitimeve jo të qëndrueshme mbi sipërfaqe me anë të një peneli të butë në zonat ku kjo ishte e mundur. Konsolidimi i shtresës të gruntit dhe pikturës u krye me tretësirë të ngrohtë xhelatine të tretur në ujë. Kjo u bë duke e shtrirë atë me penel të butë në gjithë sipërfaqen e veprës duke përdorur letra japoneze. Më pas u vendosën sërish disa shtresa me letra pambuku dhe u kalua sipër me spatulën e nxehtë që lidhësi të depërtonte sa me mirë dhe të siguronte qëndrueshmëri të gruntit dhe pikturës. Pasi përfundoi procesi letrat u hoqën me ujë të ngrohtë dhe pambuk hidrofil”, thuhet nga MKAM. Sipas muzeut që ka ndarë dhe foto të ikonës në faqen e tij, heqja graduale e vernikut të oksiduar u bë me ethanol absolut 98 për qind. Neutralizimi i veprimit të tretësit u bë me white spirit. Mbetjet organike si dylli i qirinjve, etj, u hoqën në mënyrë mekanike me bisturi. U përdor eterpetroleum për heqje më të mirë të mbetjeve të tyre. Po ashtu sipas MKAM, u bënë ritokime esteike në pjesët ku ishte dëmtuar piktura me ngjyra akuareli Rembrandt të prodhimit Talens. Ngjyrat u përzihen me Oxgall për të përmirësuar lidhjen. “Në fund u kaluan disa shtresa të holla verniku të kryqëzuara dhe në intervale 4-5 ditore nga shtresa në shtresë që të mund të thaheshin. U përdor venik damar mat i prodhimit Schmincke bashkë me vernik retouche po i këtij prodhimi”, thuhet nga muzeu në Korçë. Herë pas here MKAM bën me dije ndërhyrjet restauruese me ikonat.
Ikona “Shën Maria me Krishtin” pas restaurimit do të ekspozohet për publikun
Data
