Fillimi i sezonit turistik veror dhe rritja e temperaturave kanë sjellë një shtim të ndjeshëm të pushuesve në bregdetin e Lezhës, duke krijuar fluks të madh dhe trafik të rënduar, veçanërisht gjatë fundjavës.
Dita e sotme ka shënuar një numër të madh vizitorësh që janë drejtuar drejt plazheve si Shëngjini dhe Taleja, duke krijuar radhë të gjata kilometrike në aksin rrugor Milot–Lezhë. Pjesa më e madhe e këtij fluksi përbëhet nga qytetarë nga Kosova, të cilët po shfrytëzojnë ditët me diell për të kaluar fundjavën në det.
Moti i mirë dhe temperaturat e larta kanë nxitur mijëra qytetarë t’i drejtohen bregdetit, çka ka sjellë mbingarkesë në infrastrukturën rrugore. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave të qarkullimit për të shmangur aksidentet dhe bllokimet në rrugë.
