Qindra banorë të zonës përreth aksit të ri Thumanë-Kashar kanë protestuar sërish pasditen e djeshme, duke ripërsëritur kërkesën e tyre për të pasur akses në autostradën e re. Ata janë mbledhur, ndërsa të pranishëm kanë qenë disa dhjetëra forca policore, përfshi edhe njësi të reparteve speciale. Mësohet se mes protestuesve dhe policisë ka pasur përplasje. Banorët kanë kërkuar nga institucionet që të marrin masa dhe t’i krijojnë aksesin banorëve të zonës, pasi autostrada e re ka kthyer në një aks të “vdekur” rrugën e vjetër. Deri më tani thirrjet dhe kërkesat e qytetarëve kanë rënë në vesh të shurdhët, duke mos marrë asnjë zgjidhje, përveç dhunës policore, e cila në protestën e fundit arrestoi disa nga banorët protestues. Nderkohe edhe deputetja e PD-së, Andia Ulliri, i është bashkuar protestës së djeshme në aksin Thumanë-Kashar, tha se ka kohë që pritet një përgjigje nga institucionet lidhur me kërkesat e banorëve.
Në një intervistë televizive Ulliri tha se projekti parashikonte 4 nyje, por ato nuk janë. “Ku janë 4 nyjet që parashikoheshin në projekt? Asnjë nyje nuk ka. Atëherë ku janë? ARRSH dhe ministrja Belinda Balluku duhet të na kthejë përgjigje, vetëm heshtje. Këta banorë që protestojnë janë në të drejtat e tyre. Çfarë do të ndodhë sikur të bllokohen rrugët? Këtyre banorëve nuk u jepet akses në autostradë, është një zonë që ka 80-85 mijë banorë që preken nga mungesa e këtyre nyjeve”, tha deputetja e PD-së. Ajo i është bashkuar protestuesve në këtë aksion, ndërsa është ulur bashkë me qindra banorë në rrugë, duke paralizuar totalisht qarkullimin e mjeteve. Sipas gazetarit protestuesit kanë bllokuar lëvizjen në të dy anët e rrugës, ndërsa policia ka përdorur edhe spray kundër protestuesve. Banorët janë të vendosur në kërkesat e tyre, ndërsa në të dyja kahet e rrugës është bllokuar qarkullimi i automjeteve”, deklaroi Ulliri.
