SelfCare jashtë funksionit, bizneset të bllokuara nga dështimi i E-Albania

Data

Problemet me platformën SelfCare, e administruar përmes E-Albania, janë shndërruar në një makth të vazhdueshëm për bizneset dhe kontabilistët në të gjithë vendin. Edhe gjatë ditës së sotme, përdoruesit raportojnë se sistemi është sërish jashtë funksionit, vetëm pak ditë pasi kishte nisur të punonte pjesërisht.

Ekonomistët dhe kontabilistët shprehen se janë detyruar të punojnë gjatë fundjavës, duke shfrytëzuar orët e vona të natës kur platforma ishte më pak e ngarkuar. Megjithatë, dita e hënë ka rikthyer bllokimin total, ndërsa përdoruesit përballen me mesazhe që nuk u lejojnë akses në shërbime.

Prej më shumë se dy javësh, që nga data 20 janar, bizneset po përballen me një situatë absurde që paralizon punën e përditshme. SelfCare është një mjet thelbësor për funksionimin e sistemit fiskal dhe administrativ, por mosfunksionimi i tij po sjell pasoja të drejtpërdrejta në aktivitetin ekonomik.

“Është bërë e padurueshme. Stresi nuk merret aspak në konsideratë. Kjo nuk është kapriço, është vetë jeta jonë profesionale. Dyfishohet koha e punës dhe përgjysmohet koha e lirë. Ndihemi sikur jemi pjesë e një eksperimenti”, shprehet Arbërore, ekonomiste.

Mosfunksionimi i platformës bllokon një sërë veprimesh thelbësore: lëshimin e faturave të fiskalizuara, deklaratat doganore për importuesit, ndryshimet në certifikatat elektronike, si dhe rakordimet fiskale. Shumë profesionistë shprehen se janë kthyer në “rojtarë të sistemit”, duke monitoruar vazhdimisht orët kur platforma mund të funksionojë për disa minuta.

Problemet me SelfCare kanë ndikuar edhe në shtyrjen e afateve zyrtare. Tatimet u detyruan të shtyjnë dorëzimin e deklaratave që skadonin më 31 janar, duke e çuar afatin në 20 shkurt. Ndërkohë, kontabilistët ndodhen në periudhën më intensive të vitit, ku duhet të mbyllin bilancet vjetore dhe të deklarojnë TVSH-në e muajit janar.

Sipas Aleancës së Profesionistëve të Lirë, bllokimi i vazhdueshëm i SelfCare sjell pasoja serioze si: ndërprerje të punës dhe vonesa në faturim e arkëtime, rritje të riskut të gabimeve dhe mospërputhje dokumentacioni, kosto shtesë operative, ekspozim ndaj gjobave për afate që bizneset nuk i kontrollojnë, si dhe dëmtim të besimit te procesi i fiskalizimit dhe formalizimit të tregut.

Bizneset kërkojnë zgjidhje urgjente dhe një sistem funksional, duke theksuar se dixhitalizimi nuk mund të kthehet në pengesën kryesore të punës së tyre të përditshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related