Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita ndodhet në fazën përfundimtare të përballjes politike me qeverinë, duke paralajmëruar intensifikim të protestave deri në largimin nga pushteti të kryeministrit Edi Rama.
Në një konferencë për shtyp, Berisha theksoi se opozita ka tejkaluar problemet e brendshme dhe tashmë është e fokusuar plotësisht në atë që ai e cilësoi si “betejë politike” kundër qeverisë aktuale.
“Jemi në kilometrin e fundit. Problemet që kishim i kemi lënë mbrapa. Tani kemi një problem dhe ky është Edi Rama, pushteti i krimit,” u shpreh ai.
Lideri i opozitës theksoi se protesta mbetet instrumenti kryesor i aksionit politik, duke shtuar se kjo është mënyra më efektive për të ushtruar presion ndaj qeverisë.
“Koha provon se protesta është arma jonë më kryesore,” deklaroi Berisha, duke akuzuar njëkohësisht mazhorancën për bllokimin e funksionimit të institucioneve parlamentare.
Ai pretendoi se Kuvendi nuk funksionon normalisht, duke përmendur mungesën e komisioneve hetimore, interpelancave dhe debatit parlamentar, si dhe refuzimin për t’u dhënë opozitarëve informacionin e kërkuar sipas ligjit.
Megjithatë, Berisha theksoi se opozita nuk do të largohet nga parlamenti, duke e konsideruar këtë një qëndrim strategjik për të mos i dhënë avantazh politik mazhorancës.
“Ne nuk e braktisim parlamentin. Por do të bëjmë gjithçka me qytetarët kundër tij, derisa të largohet nga pushteti,” tha ai.
Në përfundim, kreu i PD-së deklaroi se opozita e konsideron veten legjitime në çdo formë të “kryengritjes paqësore”, duke paralajmëruar një përshkallëzim të aksioneve politike në ditët në vijim.
