Sali Berisha njësh me kolaboracionistët, sulmon çlirimtarët e Tiranës dhe të Shqipërisë, “këlyshi” i Hysni Kapos dhe…

Data

Ish-kryeministri Sali Berisha, i njohur si “këlyshi” i Hysni Kapos dhe Enver Hoxhës, në një akt provokativ dhe të pashembullt, ka hapur dje një tjetër front polemikash, duke sulmuar të kaluarën e lavdishme të Luftës Antifashiste Çlirimtare dhe duke lëshuar akuza të rënda kundër partizanëve, duke i quajtur ata përgjegjës për “gjenocid”, “krime” dhe luftë vëllavrasëse gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dje u festua 17 Nëntori, pra 80-vjetori i çlirimi të Tiranës nga okupatori nazifashist

Por në këtë ditë të shënuar, Berisha zgjodhi të vjellë vrer për trimat partizan. Në vend që të nderojë heroizmin e atyre që dhanë jetën për çlirimin e atdheut, Berisha, duke shkuar deri në nivelin e justifikimit të krimeve të regjimit fashist, nxjerr në pah një urrejtje të thellë për ata që luftuan për ta ndaluar pushtimin dhe terrorin nazifashist. Me këtë akt, ish-kryeministri Berisha e pozicionon veten si pasues të kolaboracionistëve, duke mbështetur argumentet e atyre që ishin aleatë të pushtuesve dhe kundërshtarë të aleancës antifashiste.

Ai e quajti Luftën Çlirimtare një “luftë vëllavrasëse”, ndërsa akuzat e tij ndaj partizanëve bien në një rreth vicioz të mohimit të historisë dhe përpjekjeve për të sulmuar një nga periudhat më të shenjta të identitetit kombëtar shqiptar. Ky qëndrim i Berishës jo vetëm që trondit kujtimin e atyre që luftuan për liri, por sjell në pah një përpjekje të dëshpëruar për të manipuluar të vërtetën historike në funksion të interesave të ngushta politike.

Reagimi i Berishës

Konkretisht ish-kryeministri Sali Berisha, nën “arrest shtëpie” prej gati një viti, ka kujtuar atë që ai e quajti “masakra e terrorit të kuq” të tetor-nëntorit, teksa dje kujtohej 17 Nëntori, çlirimi i Tiranës. Ai ka përshëndetur shoqatën e Unioni të të Përndjekurve, e drejtuar nga Besim Ndregjoni, që kujtoi viktimat e komunizmit dje, si dhe familjarët e viktimave “të terrorit të kuq”. “17 Nëntori shënon zëvendësimin e një pushtimi të huaj, me një pushtim të egër, barbar, të brendshëm që do të zgjaste, jo 1 apo 2 vite, por do të zgjaste 46 vite. Me 17 nëntor banda terroriste e Enver Hoxhës, e shndërruar totalisht në vegël të Beogradit, do të vendoste në Tiranë pushtetin e saj, pasi kishte shndërruar luftën e shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar, në një luftë vëllavrasëse antikombëtare”, deklaroi ai.

Më tej Berisha kujtoi se nderoheshin 39 viktima të masakrës tetor-nëntor. “Në fakt ato janë mbi 100. Nderojmë një nga masakrat, aktet terroriste më të shëmtuara të regjimit, e projektuar nga të dërguarit e Beogradit, dhe përfaqësuesi i tyre në Shqipëri, Enver Hoxha. E ekzekutuar nga terroristët Kristo Themelko, Beqir Balluku dhe banda të tjera. Heronjtë e kësaj masakre ishin atdhetarë, të cilët kishin luftuar kundër pushtuesve, ose kishin ndërgjegje të pastër, të qetë, dhe asnjë motiv për tu larguar dhe për të mos i shërbyer vendit dhe kombit të tyre”, u shpreh ai. Po ashtu, Berisha theksoi se ata ishin “të papajtueshëm me ideologjinë çnjerëzore, komuniste, pasardhës të familjeve që kishin firmosur pavarësi, që kishin luftuar dhe dhënë kontribut thelbësor në ndërtimin e shtetit shqiptar”. “U vranë në mënyrën më tinëzare, më mizore, më barbare. Në pragun e derës së shtëpisë së vet.

Të mbledhur në Bristol dhe të ekzekutuar në një bodrum, të hedhur në Priskë në lum, masakra e tetor-nëntorit është një masakër makabre, të cilën vetë ata që e kryen e shpallën akt terrorist, por qyteti u përgjak. Vazhduan për 46 vite me radhë ekzekutimin e armiqve të tyre, qëndrestarëve, heronjve të fjalës së lirë, besimit tek Zoti dhe besimit tek Shqipëria”, nënvizoi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur dje online nga banesa ku qëndron i izoluar në ceremoninë e përkujtimit të 39 intelektualëve të Tiranës, të vrarë nga terrori komunist në nëntor 1944.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related