Kryetari i Partia Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se pensionistët shqiptarë po përballen me një situatë ekonomike shumë të rëndë, duke akuzuar qeverinë për thellim të varfërisë gjatë 13 viteve të fundit.
Në tryezën e organizuar nga Departamenti i Ekonomisë në PD për pensionet, Berisha tha se rreth 490 mijë pensionistë marrin pensione të pjesshme, të cilat sipas tij nuk mjaftojnë për të përballuar jetesën.
“490 mijë pensionistë marrin pension të pjesshëm. Çka do të thotë thërrime. Ata bëjnë një jetë shumë të vështirë, në disa aspekte më të vështirë se në socializëm”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, problemi kryesor lidhet me rritjen e çmimeve, e cila sipas tij nuk është ndjekur nga rritja e pensioneve dhe pagave.
Ai argumentoi se inflacioni real për pensionistët është shumë më i lartë sesa treguesi zyrtar, pasi pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre shkon për ushqime dhe produkte bazë.
“Thuhet se inflacioni është 2%, por inflacioni i ushqimeve mund të jetë 15%. Pensionisti i shpenzon të gjitha të ardhurat te ajo shportë”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi qeverinë se ka indeksuar pensionet vetëm mbi bazën e inflacionit të përgjithshëm dhe jo sipas kostos reale të jetesës për pensionistët.
Ai tha gjithashtu se në vitin 2013 pensionet shqiptare ishin më të larta se ato në disa vende të rajonit, ndërsa sot situata është përkeqësuar ndjeshëm.
Berisha ngriti shqetësim edhe për kostot e kujdesit shëndetësor dhe ilaçeve, duke theksuar se pensionistët janë “zhytur gjithnjë e më thellë në mjerim”.
