Deputeti i Partia Demokratike, Saimir Korreshi, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me problematikat e qarkullimit dhe sigurisë rrugore në zonën e Savër.
Përmes publikimit të disa pamjeve nga kryqëzimi pranë “Pushimit të Shoferit”, Korreshi e cilësoi segmentin si një “kryqëzim vdekjeje”, duke theksuar se aty kanë humbur jetën shumë qytetarë ndër vite.
Sipas deputetit, situata mund të zgjidhet me një investim relativisht të vogël, përmes përfundimit dhe sistemimit të një mbikalimi ekzistues.
“Shumë jetë kanë humbur në këtë kryqëzim. Zgjidhje ka edhe këtu. Vepra e artit, ura që shërben si mbikalim, është rreth 250 metra dhe pret prej vitesh,” shkroi Korreshi.
Ai akuzoi institucionet shtetërore për mungesë vëmendjeje ndaj infrastrukturës rrugore dhe neglizhencë ndaj sigurisë së qytetarëve.
Sipas tij, rehabilitimi i mbikalimit jo vetëm do të shmangte aksidentet, por do të ndihmonte edhe në lehtësimin e trafikut të rënduar gjatë sezonit veror në aksin jugor të vendit.
“Rregullimi i këtij mbikalimi së pari shpëton jetë njerëzish e më pas rregullon trafikun e ngjeshur në verë,” deklaroi deputeti i Partia Demokratike.
