Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ngritur në Kuvend shqetësimet e fermerëve dhe banorëve të zonës së Lushnjës, duke ironizuar politikat e qeverisë për bujqësinë, çmimin e karburanteve dhe mungesën e investimeve në infrastrukturë.
Në fjalën e tij, Korreshi kritikoi heqjen e subvencionit të naftës për fermerët dhe tha me ironi se tashmë bujqësia duhet të rikthehet te “gomarët” si mjet pune.
“Meqë hoqëm naftën nga bujqësia, të fusim dhe nga një gomar”, deklaroi ai nga foltorja e Kuvendit.
Deputeti opozitar ironizoi edhe situatën ekonomike dhe rritjen e çmimeve, ndërsa tha se qytetarët ndihen të pambrojtur përballë krizës.
“Na jepni ndonjë palë llastiqe të vrasim ndonjë harabel të hamë bukë”, u shpreh Korreshi.
Ai kërkoi më shumë investime në infrastrukturën rrugore të zonës së Myzeqesë, në sistemin energjetik dhe në sektorin shëndetësor, duke përmendur nevojën për ndërhyrje konkrete në kryqëzime dhe segmente rrugore që sipas tij ndikojnë në qarkullimin në jug të vendit.
Korreshi kritikoi gjithashtu nivelin e lartë të çmimit të naftës dhe barrën fiskale mbi fermerët, duke kërkuar uljen e menjëhershme të çmimeve të karburanteve.
Në fund të fjalës së tij, ai ironizoi edhe mungesën e investimeve publike në Lushnjë, duke iu drejtuar qeverisë: “Kur të vini vërdallë nëpër Lushnjë, sillni ndonjë gozhdë e ta ngulni në mur”.
