Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Saimir Korreshi, ka ngritur shqetësimin për situatën në fshatin Thanë, në Njësinë Administrative Fier-Shegan të Lushnjë, duke paralajmëruar rrezik të vazhdueshëm për përmbytje.
Sipas tij, një rezervuar jetik për zonën është degraduar dhe është kthyer në një “kënetë me kripë”, duke humbur funksionin kryesor për vaditjen e tokave bujqësore.
Korreshi theksoi se disa muaj më parë zona e Thanës dhe fshati Murriz u përmbytën rëndë, ku dhjetëra hektarë sera dhe banesa përfunduan nën ujë. Sipas tij, përmbytjet u shkaktuan jo vetëm nga reshjet, por edhe nga hapja e portave të hidrocentralit të Banjës dhe mungesa e infrastrukturës funksionale për të kanalizuar ujërat drejt rezervuarit.
Ai shtoi se aktualisht kanalet kulluese dhe vaditëse janë të bllokuara dhe të papastruara, duke e bërë të pamundur kullimin e ujërave në rast reshjesh, çka rrit rrezikun për përmbytje të reja.
Deputeti kritikoi gjithashtu institucionet vendore, duke theksuar se pavarësisht taksave që paguajnë banorët, nuk ka investime në mirëmbajtjen e infrastrukturës bujqësore.
Sipas tij, nëse nuk merren masa urgjente, zona rrezikon të përballet sërish me pasoja të rënda për bujqësinë dhe jetesën e banorëve.
