BE heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës, Kurti reagon fort: Nuk ishim ne fajtorët, sundimi i ligjit fitoi!

Data

Kryeministri në detyrë i Kosovës ka mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj vendit, duke theksuar se institucionet e Kosovës nuk kanë qenë shkaktare të përshkallëzimit të tensioneve në veri.

Gjatë një mbledhjeje të ekzekutivit, ai deklaroi se masat e vendosura në vitin 2023 ishin të padrejta, pasi sipas tij, pikërisht institucionet e Kosovës kanë qenë faktor kyç në uljen e tensioneve dhe rikthimin e rendit dhe ligjit në zonat veriore të vendit.

Sipas tij, heqja e plotë e masave deri në fund të janarit do t’i hapë rrugë Kosovës për të përfituar miliona euro ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian. Ai kujtoi se gjatë periudhës së masave ndëshkuese, Kosova u përball me dy sulme serioze, në shtator 2023 dhe në nëntor 2024, për të cilat u tha se ekzistojnë prova për përfshirjen e Serbisë.

Kryeministri theksoi se çdo kompromis me sundimin e ligjit do të kishte pasoja fatale për shtetin, ndërsa qetësia aktuale, lëvizja e lirë dhe funksionimi normal i institucioneve në veri janë rezultat i zbatimit të ligjit dhe forcimit të rendit publik.

Ai nënvizoi se, pavarësisht masave ndëshkuese, Kosova nuk ka ndryshuar kursin e saj evropian dhe ka mbetur plotësisht e përkushtuar ndaj integrimit në Bashkimin Evropian dhe përmbushjes së kritereve për anëtarësim.

Në të njëjtën kohë, ai kritikoi partitë opozitare për refuzimin e miratimit të Planit të Rritjes dhe marrëveshjeve financiare, duke theksuar se dëmet më të mëdha financiare Kosova nuk i ka pësuar nga BE-ja, por nga mungesa e konsensusit politik të brendshëm.

Vendimi për heqjen e masave vjen në një periudhë të ndjeshme politike për Kosovën, në prag të zgjedhjeve të reja, ndërsa qeveria është përballur edhe me kritika ndërkombëtare për disa vendime në veriun e vendit, të cilat institucionet i kanë cilësuar si pjesë të shtrirjes së sovranitetit dhe funksionimit të shtetit ligjor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related