Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me furnizuesit e karburanteve, në funksion të përballimit të situatës së krijuar nga kriza globale dhe rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Gjatë bashkëbisedimit, Rama vlerësoi qasjen e operatorëve në Shqipëri, duke theksuar se, ndonëse në bursat ndërkombëtare është regjistruar një rritje e fortë e çmimit, në vend kjo rritje ka qenë më e moderuar.
Ai paralajmëroi se situata mbetet e paqartë dhe e paparashikueshme, duke theksuar se askush nuk mund të thotë me siguri se kur do të stabilizohet tregu apo si do të evoluojnë çmimet në vijim.
“Sfida është e hapur, nuk di të thotë askush se kur do të mbyllet kjo betejë që ndikon drejtpërdrejt në çmimin e naftës”, u shpreh Rama.
Kryeministri bëri të ditur se aktualisht furnizuesit kanë rezerva fizike për rreth 30 ditë, ndërsa në bazë kontratash furnizimi garantohet deri në 100 ditë, një element që ai e cilësoi pozitiv në përballimin e krizës.
Ai theksoi se qeveria do të vijojë të monitorojë situatën dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar stabilitet në treg.
Takimi vjen në një moment kur tensionet ndërkombëtare dhe zhvillimet gjeopolitike po ndikojnë drejtpërdrejt në tregjet energjetike, duke krijuar pasiguri për çmimet dhe furnizimin në shumë vende.
