Një operacion ushtarak në shtetin e Jalisco ka çuar në vrasjen e Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, lider i kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG), një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Meksikë.
Lajmi për eliminimin e tij shkaktoi reagime të menjëhershme dhe të dhunshme. Në disa zona u regjistruan bllokime rrugësh, zjarrvënie automjetesh dhe përplasje mes anëtarëve të kartelit dhe forcave të sigurisë. Në Guadalajara, kamionë dhe autobusë të djegur u përdorën për të bllokuar akset kryesore.
Tensione u raportuan edhe në aeroportin ndërkombëtar të Guadalajara-s, ku u dëgjuan të shtëna dhe u ndërprenë përkohësisht fluturimet. Një situatë e ngjashme u shënua edhe në aeroportin e Puerto Vallarta, ku pasagjerët u evakuuan për arsye sigurie.
“El Mencho” ishte ndër personat më të kërkuar ndërkombëtarisht, me një shpërblim prej miliona dollarësh për kapjen e tij. Nën drejtimin e tij, CJNG u zgjerua ndjeshëm, duke u përfshirë në trafik droge në shkallë ndërkombëtare dhe në përplasje të armatosura me kartelë rivalë dhe autoritetet.
Forcat e sigurisë në Meksikë kanë rritur nivelin e gatishmërisë, ndërsa vijojnë operacionet për të frenuar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.
