Reali i Madridit mbetet skuadra më e fortë në Europë, kampione në fuqi e Ligës së Kampioneve dhe padyshim një skuadër e frikshme për rivalët, skuadër që në dekadën e fundit e ka fituar Champions plot 6 herë. Por Reali ka të mirat dhe dobësitë e veta. E mirë është grupi shumë cilësor, por dobësia lidhet me rivalitetin që prodhon grupi, ku jo të gjithë mund të fitojnë trofe individual, pavarësisht se kanë fituar shumë në pikëpamje të skuadrës. Kështu, referuar mediave sportive spanjolle, sulmuesi i Real Madridit, Rodrigo, ka mbetur i befasuar që nuk u nominua për Topin e Artë. Rodrigo të hënën në një intervistë për “ESPN” ka deklaruar se mund të kishte qenë në mesin e 30 kandidatëve për ta fituar çmimin më prestigjioz në futboll. Në mesin e kandidatëve për Topin e Artë është edhe Granit Xhaka.
“Isha i mërzitur, mendoj se e meritoja. Nuk dua të nënçmoj lojtarët që janë aty, mendoj se edhe ata e merituan. Por unë mendoj se kisha një vend në mesin e 30 kandidatëve. Ishte një surprizë, por nuk mund të bëj shumë pasi nuk jam unë ai që vendos për këto gjëra”, u shpreh braziliani. 23-vjeçari në edicionin e kaluar në 51 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat ka shënuar 17 gola dhe ka kontribuar me nëntë asistime. Me Realin fitoi tre trofe në edicionin 2023/2024.
Ndërkohë, skuadra e Real Madridit do t’i ofrojë vazhdimin e kontratës mbrojtësit spanjoll, Dani Karvajal. Të hënën, eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, ka njoftuar se drejtuesit e “Los Blancos” dhe menaxherët e Karvajalit kanë filluar negociatat për rinovimin e kontratës. Trajneri Karlo Ançeloti është i kënaqur me paraqitjet e spanjollit dhe dëshiron që ta ketë pjesë të projektit të tij edhe për edicionin tjetër në La Liga. 32-vjeçari me Realin ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Pjesë e Realit është nga viti 2013. Ai ka 421 paraqitje me fanellën e gjigantit spanjoll.
Ka realizuar 13 gola dhe ka bërë 64 asistime. Me Realin ka fituar 26 trofe. Mbetet të shihet se si do ta përballojë Reali këtë sezon, ndërkohë që pritshmëritë mbeten të mëdha, pasi në gjirin e skuadrës këtë edicion ka ardhur edhe një prej lojtarëve më të mirë në botë, sikurse është francezi Kilian Mbape. Trajneri Karlo Ançeloti vijon ta menaxhojë skuadrën me profesionalizëm dhe deri tani ka treguar potencial të madh në sukseset e grupit dhe Reali mbetet favoriti kryesor për të fituar titullin në La Liga spanjolle, por edhe trofeun e UEFA Champions League.
