Me vendimin e beftë të Uashingtonit për të pezulluar ndihmat ushtarake për Ukrainën në sfond, udhëheqësit e shqetësuar të Bashkimit Evropian do të takohen të enjten në Bruksel për të diskutuar hapat për të forcuar mbrojtjen e BE-së kundër Rusisë.
“Pyetja që shtohet nuk është më nëse siguria e Evropës kërcënohet konkretisht apo nëse Evropa duhet të mbajë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, pyetja që shtohet para nesh është nëse Evropa është e përgatitur të veprojë me vendosmëri sipas situatës – dhe nëse Evropa është gati dhe e aftë të veprojë me shpejtësinë dhe me ambicien e duhur”, tha shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen para takimit, ndërsa shpalosi një plan financiar shumëdimensional për mbrojtjen, në vlerë prej 870 miliardë dollarësh, për bllokun me 27 anëtarë.
Një mesazh i tillë po dëgjohet nëpër takime të shumta, urgjente, të udhëheqësve evropianë, të shqetësuar nga një mos angazhim i mundshëm i Shteteve të Bashkuara dhe që po çon drejt një angazhimi të ri evropian për më shumë shpenzime në fushën e mbrojtjes. Ky zhvillim vjen pas vitesh kërkesa të përsëritura nga Uashingtoni që BE-ja të mbajë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj.
Por shtetet anëtare të BE-së po përballen me sfida të thella ndërkohë që ndërmarrin hapa për t’u riarmatosur, duke filluar nga qeveritë dhe ekonomitë e brishta e deri tek ballafaqimi me një popullatë skeptike e forcimi i partive të djathta të skajshme, shpesh me pikëpamje më të favorshme për Rusinë.
