Qeveria i jep statusin e investitorit strategjik një biznesmeni italian me lidhje në Tiranë për të ndërtuar një resort turistik në një zonë me mbrojtje ligjore të trefishtë në Gjirin e Vlorës, duke rrezikuar trashëgiminë kulturore, atë natyrore dhe bazën e Forcës Detare në Pashaliman.
Parku arkeologjik i Orikumit në Gjirin e Vlorës ofron një peizazh unik nga kodra e gjelbëruar, i rrethuar nga deti Jon, laguna e Pashalimanit dhe gadishulli i Karaburunit.
I ngritur në shekullin e VI para Lindjes së Krishtit, qyteti antik ka lënë gjurmë në histori gjatë luftës civile romake në mesin e shekullit I p.e.s, si një destinacion që shërbeu për ngjitjen e gjeneralit Jul Cesar drejt pushtetit absolut në Romë.
Për shkak të pozicionit gjeografik, gjiri buzë Karaburunit mendohet se është përdorur si bazë detare që nga antikiteti e deri në ditët e sotme.
Por tani, qeveria shqiptare synon që të ndërtojë aty një kompleks masiv turistik, i cili do të futet si ‘elefanti në dyqanin e qelqurinave’ në mesin e një zone me mbrojtje të trefishtë për shkak të vlerave të trashëgimisë kulturore, habitatit natyror dhe bazës ushtarake detare aktive të Pashalimanit.
