Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kanë reaguar pas referendumit të zhvilluar në Itali për ndryshimet kushtetuese në sistemin e drejtësisë, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë së institucioneve.
Në deklaratën e përbashkët, ato vlerësojnë rolin e Shoqata Kombëtare e Magjistratëve të Italisë, e cila sipas tyre kontribuoi në nxitjen e një debati të hapur dhe të përgjegjshëm mbi mbrojtjen e parimeve kushtetuese.
Referendumi në Itali përfundoi me votën “Jo” në masën 58.5%, një rezultat që, sipas shoqatave shqiptare, përfaqëson një mbështetje të qartë për pavarësinë e drejtësisë dhe për rolin e saj garantues në shtetin e së drejtës.
Në reagim theksohet se një sistem drejtësie i ndërgjegjshëm për misionin e tij merr pjesë aktive në jetën demokratike dhe forcon besimin e qytetarëve tek institucionet.
Pa përmendur drejtpërdrejt, deklarata shihet edhe si një mesazh për realitetin shqiptar, në një kohë kur raportet mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë kanë qenë të tensionuara.
Ky reagim vjen në një moment kur kryeministri Edi Rama ka artikuluar kritika ndaj sistemit të drejtësisë dhe janë përmendur mundësi për nisma të ngjashme me referendum edhe në Shqipëri.
Shoqatat nënvizojnë se drejtësia është “oksigjeni i lirive themelore” dhe se pavarësia e saj mbetet gur themeli i çdo demokracie funksionale, duke theksuar angazhimin për forcimin e shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve.
