Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas aksidentit tragjik në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë.
Përmes një mesazhi në rrjetin social X, Rama shprehu dhimbjen për ngjarjen, duke e cilësuar atë si një tragjedi të pangushëllueshme për familjet e prekura dhe për gjithë shoqërinë.
“Sapo kemi zbritur në Erevan të Armenisë për Komunitetin Politik Europian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve… Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël,” shkruan kryeministri.
Ai gjithashtu uroi forcë për prindërit që po përballen me këtë humbje të rëndë, ndërsa theksoi se lutjet e tij janë edhe për fëmijën e tretë që po lufton për jetën në spital.
Reagimi i Ramës vjen në një moment kur tragjedia në Durrës ka shkaktuar reagime të shumta publike dhe politike, duke rikthyer në fokus çështjen e sigurisë rrugore dhe përgjegjësisë institucionale.
