Rama urdhëron hapjen e kutive pas 11 majit: Një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar vjedhjen e votës

Data

Tiranë, EuroAlbania – Pas zgjedhjeve të shumëdiskutuara të 11 majit 2025, Edi Rama ka ndërmarrë një tjetër akt politik që po trondit besimin e qytetarëve tek procesi zgjedhor: hapjen e kutive të votimit. Ky vendim i papritur dhe i njëanshëm nga mazhoranca nuk shihet nga askush si akt transparence, por si një manovër e dëshpëruar për të zhdukur provat e manipulimit zgjedhor.

Sipas opozitës, Rama po përpiqet të paraqesë një “pastrim të fasadës” zgjedhore, ndërkohë që rezultati i 11 majit është produkt i presioneve mbi administratën, blerjes së votave, përdorimit politik të institucioneve dhe deformimit masiv të vullnetit qytetar.

“Ai po hap kuti që tashmë janë mbyllur në mënyrë kriminale. Po përpiqet të pastrojë skenën e krimit me dorën e vet,” – u shpreh një përfaqësues i Partisë Demokratike për EuroAlbania.

Hapja e kutive nuk po ndodh mbi baza hetimore, por si një proces i organizuar dhe i kontrolluar nga e njëjta strukturë politike që drejtoi vjedhjen, thekson opozita. Kutitë nuk po hapen për transparencë, por për manipulim të dytë, këtë herë në sy të publikut dhe me qëllim për të “vulosur” një mashtrim të madh si legjitim.

Në disa zona ku rezultati ka qenë i kontestuar, denoncimet për fletë votimi të shtypura jashtë procedurës, për listime të manipuluara dhe për numërime fiktive janë bërë publike, por nuk ka pasur asnjë reagim institucional. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nën kontroll të plotë të qeverisë, po hesht dhe po shërben si zyrë teknike për zbardhjen e një rezultati të kontaminuar politikisht.

Rama, në vend që të përballet me akuzat e rënda që rëndojnë mbi qeverinë e tij, po përdor institucionet për të legalizuar një proces të delegjitimuar. E gjithë kjo lëvizje nuk ka të bëjë me llogaridhënien, por me mbijetesën politike.

Opozita dhe një pjesë e madhe e shoqërisë civile po kërkojnë ndërhyrje ndërkombëtare dhe ngritjen e një komisioni hetimor të pavarur. Pa hetim real dhe pa ndëshkim të manipuluesve, sipas tyre, demokracia shqiptare mbetet peng i një kaste politike që ka humbur kontaktin me qytetarin dhe me standardet evropiane të zgjedhjeve.

“Rama nuk ka më votë. Ai ka thjesht sistem. Dhe ky sistem është i ndërtuar për të mashtruar dhe sunduar,” – deklaroi një analist i njohur për EuroAlbania.

Në vend të një procesi të drejtë, Shqipëria është sot dëshmitare e një akti të rradhës të uzurpimit të pushtetit me mjete antidemokratike. Historia e 11 majit nuk përfundon me hapjen e kutive. Ajo sapo ka nisur.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related