Kryeministri Edi Rama ka sulmuar opozitën gjatë një takimi në asamblenë e Partisë Socialiste në njësinë 3 në Tiranë, duke e akuzuar se është e shkëputur nga terreni dhe pa aktivitet politik.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se Shqipëria ka fituar besim dhe respekt ndërkombëtar falë reformave të ndërmarra, ndërsa e cilësoi momentin aktual si një mundësi historike për integrimin në Bashkimin Europian.
Ai u shpreh se vendi duhet të shfrytëzojë këtë periudhë, duke nënvizuar se anëtarësimi në BE do të ndryshojë statusin e qytetarëve shqiptarë në raport me Europën.
Paralelisht, Rama kritikoi opozitën, duke thënë se ajo është e paorganizuar dhe e padukshme në terren.
“Mos janë duke fjetur gjumë? Me siguri janë në kafe… Nuk organizohen,” u shpreh ai, duke theksuar se, në të kundërt, Partia Socialiste është e angazhuar në takime dhe organizim për zgjedhjet e ardhshme.
Në fund, Rama shtoi se përveç organizimit politik, qeveria do të vijojë edhe me politika sociale, duke përmendur rritjen sistematike të pensioneve si një nga prioritetet në vijim.
