Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një mbledhje me drejtorët e Bashkisë së Tiranës, së bashku me deputetët e këtij Qarku, teksa mes diskutimeve, ka qenë edhe ristrukturimi organizativ i Bashkisë, ashtu siç e paralajmëroi edhe vetë kryeministri përmes një postimi në rrjetet sociale.
Burime për mediat bëjnë me dije se gjatë mbledhjes, Edi Rama u ka kërkuar dorëheqjen nënkryetarëve të Bashkisë së Tiranës, përfshirë edhe Anuela Ristanit, e cila është e komanduar si kryebashkiake në detyrë.
Sipas po të njëjtave burime, Rama u ka thënë se duhet të gjejnë burime të tjera njerëzore (për nënkryetarët) që do të marrin përsipër sektorë të ndryshëm për të drejtuar bashkinë deri në zgjedhje (pa dhënë një afat).
Por, ajo që vlen për t’u përmendur është se Edi Rama është vetëm “de facto” kryebashkiak i Tiranës, pasi “de jure” është ende Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg që prej 10 Shkurtit, pasi u arrestua nga SPAK nën akuzat për korrupsion. Ai është lënë në qeli nga të tre shkallët e gjyqësorit.
Dhe nëse Rama emëron nënkryetarët e rinjë të Bashkisë, ku sipas mediave ka kërkuar 5 nënkryetarë, duhet të jetë Erion Veliaj, ai që i duhet t’i firmosë emërimet e reja.
