Kryeministri Edi Rama iu përgjigj dje në rubrikën “Sy m’Sy” pyetjeve të qytetarëve në rrjete sociale lidhur me panairin e parë të punës që do të mbahet në 2 Mars në Athinë, por jo vetëm. Rama në videon e postuar u shpreh se ka plot shqiptarë që kthehen dhe se pensionet europianë nuk mund të realizohen aq kollaj, ku për këtë ka dhënë shembuj konkret. Kryeministri theksoi se kur ata erdhën në pushtet, jo që nuk kishte fare nga këto marrëveshje, por Shqipëria nuk kishte fytyrë që të ulej si e barabartë në tryezë me të tjerët. “Mirëdita nga kryeministria! Sot postuam njoftimin për Panairin e parë të Punës në Athinë në 2 mars dhe ka pasur komente nga më të ndryshmet, siç është dhe krejt e natyrshme dhe pozitive që të jenë sepse ndryshe nuk kemi mundësinë që t’i diskutojmë siç duhen gjërat. “Nuk kthehet asnjë”.
Këtu e ke gabim e dashur Dori sepse ka plot që kthehen. E ke parë ti që u del llogaria më mirë në fund të vitit, sidomos kur kursimet andej investohen këtej në fshatin e tyre për një fermë, për një agroturizëm, për një linjë përpunimi. Pensionet europiane nuk bëhen aq kollaj sa shkruhet një koment sepse po të jap një shembull konkret. Shumëkush thotë ‘Dua pension europian në Shqipëri’, por sigurimet shoqërore i ka paguar të tëra këto vite në Greqi dhe nuk është e mundur nëse nuk mbyllim marrëveshjen e pensioneve me Greqinë siç e mbyllëm me Italinë apo me plot vende të tjera, që të mund t’i japim një pension siç e dëshiron këtu në Shqipëri, por ama, mos harro që kur erdhëm ne në detyrë, jo që nuk kishte fare nga këto marrëveshje, Shqipëria nuk kishte fytyrë që të ulej si e barabartë në tryezë më te tjerët”, thotë ai. Ndër të tjera, kryeministri Rama shtoi se ka 24 orë ujë në 67% të territorit dhe 17 orë ujë mesatarisht në pjesën tjetër, teksa ka kujtuar se kur kanë marrë detyrën, në asnjë zonë nuk kishte 24 orë ujë.
