Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, vendim që ai e ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese. Përmes një deklarate publike, Rama paralajmëroi se vendimi i pezullimit po krijon bllokime serioze në funksionimin e qeverisë dhe po pengon disa procese ndërkombëtare.
Sipas tij, pezullimi i një ministri është një praktikë e paprecedentë, ndërsa mungesa e Ballukut në detyrë po ndalon miratimin e disa akteve të rëndësishme të ministrisë.
Rama: Pezullimi po pengon marrëveshjen e fluturimeve Kanada–Shqipëri
Kryeministri përmendi si shembull marrëveshjen dypalëshe me Kanadanë për nisjen e fluturimeve transatlantike drejt Shqipërisë në qershor 2026, e cila – sipas tij – nuk mund të ecë përpara pa firmën e ministres.
“Kushtetuta ia jep ministrit kompetencën ekskluzive për këto hapa. Pezullimi vendos pikëpyetje mbi nisjen e fluturimeve në qershor 2026”, – deklaroi ai.
Rama shtoi se përveç kësaj marrëveshjeje, 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, mes tyre 18 akte të rindërtimit, kanë mbetur të pezulluara.
“Çdo ditë që pezullimi zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara,” – theksoi ai.
Gjykata Kushtetuese shtyn seancën – vendimi pritet më 4 dhjetor
Gjykata Kushtetuese do të mblidhet të enjten, më 4 dhjetor, për të vendosur nëse kërkesa e qeverisë do të kalojë për shqyrtim të plotë apo jo. Pezullimi i Ballukut u vendos nga GJKKO, e cila ndërkohë i ka bllokuar edhe pasaportën, duke i ndaluar daljen jashtë vendit.
Rama pretendon se vendimi shkel kompetencat e tij kushtetuese dhe krijon një precedent të rrezikshëm për raportin mes ekzekutivit dhe gjyqësorit.
Akuzat ndaj Ballukut: Dy tendera me vlerë totale mbi 210 milionë euro
SPAK e mori të pandehur Belinda Ballukun dhe disa vartës të saj, mes tyre Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Sipas Prokurorisë, Balluku ka ndjekur dhe orientuar personalisht procedurat e dy tenderave të rëndësishëm:
1. Tuneli i Llogarasë
•Fond limit: 18.9 miliardë lekë pa TVSH
•SPAK thotë se fituesi është “paracaktuar”, duke u favorizuar në bashkëpunim me anëtarët e KVO-së dhe zyrtarët e ARRSH.
2. Loti 4 i Unazës së Jashtme Tiranë (2021)
•Fond limit: 2 miliardë lekë pa TVSH
•Edhe në këtë rast, SPAK pretendon se fituesi është zgjedhur përmes manipulimit të procedurës.
Rama: Betejë për kompetencat e ekzekutivit – jo ndërhyrje në drejtësi
Kryeministri ka intensifikuar presionin publik ndaj Kushtetueses, duke deklaruar se pezullimi i një ministri nga prokuroria dhe gjykata rrezikon të cenojë balancën institucionale në vend.
“Nëse ky precedent legjitimohet, hapet rrugë për presione politike, destabilizim institucional dhe manipulim të ekzekutivit përmes proceseve penale,” – u shpreh Rama në një video-mesazh.
Qeveria e justifikon ankimimin si mbrojtje të pavarësisë së pushtetit ekzekutiv.
