Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama se mazhoranca nuk do të japë autorizimin për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut para datës 22 janar.
Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, Berisha u shpreh se vendimi i Ramës është një akt i hapur për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbrojtur, sipas tij, aferat korruptive që rëndojnë mbi qeverinë.
Sipas Berishës, vetëm në dy dosje hetimore janë zbuluar deri tani shkelje që përkthehen në rreth 1.2 miliardë euro dëm për buxhetin e shtetit, ndërsa ai paralajmëroi se opozita do të vijojë revoltën qytetare deri në përmbysjen e asaj që e cilëson si “regjim”.
“Ne do të bëjmë çdo përpjekje që parashikon ligji, por e dimë mirë se Rama nuk dorëzon Ballukun pa dorëzuar më parë veten. Janë 1.2 miliardë euro vetëm në dy dosje. Tani ka dalë edhe dosja e AKSHI-t. Lulet e atij kopshti i ujiste Linda e Surrelit”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se sipas opozitës, përmasat e aferave janë shumë më të mëdha se sa ato të bëra publike deri tani dhe se kryeministri është i vetëdijshëm për peshën e akuzave që, sipas tij, rëndojnë mbi të.
“Ishin marrë peng institucione, ishin marrë peng vendime dhe ndoshta gjëra shumë më të rënda. Rama e ka të qartë se mbi të rëndojnë krime që dalin jashtë çdo parashikimi. Opozita zbret në shesh me bindjen për të zhdukur narkoshtetin”, përfundoi Berisha.
